Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Po ashtu dorëheqjen kanë dhënë edhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, dhe drejtori i Përgjithshëm i QKB-së, Etugert Llazi.
Kërkesat për dorëheqje përfshinë edhe drejtuesit e 11 institucioneve në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Mes tyre janë administratori i Albpetrolit, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), administratorët e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), drejtuesi i Hekurudhës Shqiptare, si dhe drejtori i Përgjithshëm i Albcontrol.
Burime pranë qeverisë i pohuan Top Channel se drejtorët e prekur do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, ndërsa dorëheqjet e paraqitura do t’i nënshtrohen një procesi rivlerësimi. Në fazën e dytë do të analizohet performanca e secilit drejtues, për të vendosur më pas për vijimësinë e tyre në detyrë.
Ky vendim vjen pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi të enjten pasdite ministrave dorëheqjen e drejtorëve të agjencive shtetërore në Tiranë edhe në rrethe në varësi të tyre.
Të njëjtat burime qeveritare pohuan se kjo lidhet me avancimin e idesë së kryeministrit për meritokraci në administratë dhe shihet si hapje rruge për Ministren e Administratës Publike Adea Pirdeni, e cila u votua dje në parlament si ministre dhe është betuar sot në Presidencë.
Burimi: Top Channel / Report TV




Leave a Reply