Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje drejtuesve të degëve të PD-së të angazhohen për krijimin e një fronti sa më të gjerë opozitar kundër qeverisë, gjatë një takimi të zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës me kryetarët dhe sekretarët e degëve.
Berisha tha se opozita sot është shumicë në Tiranë dhe në Shqipëri, dhe se si forca kryesore politike opozitare në vend, PD-ja duhet t’u shtrijë dorën dhe të vendosë urat e bashkëpunimit me të gjithë spektrin opozitar në çdo qark, rreth e qytet — për një front antinarkoshtet.
“Shpërtheu lëvizja studentore dhe këtu Partia Demokratike dhe demokratët kanë një meritë të veçantë, që në orën e parë u bashkuan me këtë lëvizje, me parimin: mbështetje të plotë dhe totale dhe mbrojtje të studentëve”, tha Berisha, duke shtuar se demokratët ishin “parzmore” e studentëve në të gjitha etapat dhe se deputetët e PD-së kanë bërë asistencë ligjore në komisariate e gjykata.
Thirrja për bashkim vjen në një kohë kur protestat studentore kanë hyrë në fazën e re me dy tubime kombëtare në javë, ndërsa përplasjet e sotme përpara Kryeministrisë dhe zhvendosja e protestës te Drejtoria e Policisë e kanë përshkallëzuar tensionin në Tiranë.




Leave a Reply