Tensione të forta janë regjistruar mbrëmjen e së mërkurës përpara Kryeministrisë, ku efektivët e policisë shoqëruan aktivistët Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, pasi këta të fundit refuzuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura ndaj tyre në bazë të Aktit Normativ të qeverisë.

Pamjet tregojnë momentin kur protestuesit dolën përpara furgonit të policisë, duke bllokuar lëvizjen e tij dhe duke tentuar të pengonin shoqërimin e dy aktivistëve. Efektivët ndërhynë për të shpërndarë turmën, duke përdorur spraj me piper — i cili preku dhjetëra protestues, disa vajza u ndien keq dhe u morën nga ambulanca, por edhe vetë efektivët e policisë.

Në zonë mbërritën edhe forcat e repartit “Shqiponja”. Ende nuk ka informacion zyrtar për numrin e përgjithshëm të të shoqëruarve. Protesta e studentëve dhe qytetarëve, që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, vijon prej më shumë se 150 ditësh.