Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka reaguar në lidhje me protestat e mbajtura në Tiranë, duke shprehur shqetësimin e thellë të anëtarëve të saj për zhvillimet e fundit në vend.
Në një deklaratë publike, Dhoma thekson se garantimi i sigurisë publike, mbrojtja e njerëzve, e pronës publike dhe private, respektimi i shtetit të së drejtës dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm kërkojnë angazhim dhe veprim të koordinuar nga institucionet përkatëse.
"Të gjithë aktorët kanë përgjegjësinë të veprojnë në mënyrë konstruktive, të refuzojnë dhunën dhe të ndihmojnë në krijimin e kushteve për një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime mund të trajtohen nëpërmjet mekanizmave demokratikë", thuhet në deklaratë.
Dhoma thekson gjithashtu se situata aktuale duhet parë në kontekstin më të gjerë të sfidave me të cilat përballet mjedisi i biznesit në Shqipëri. Edicioni më i fundit i indeksit të biznesit të Dhomës, AmCham Business Index 2025–2026, evidentoi sfidat me të cilat përballen bizneset, përfshirë korrupsionin, monopolet dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe ekonominë informale, si dhe një përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit mbi klimën e biznesit.
Sipas raportimeve që ka marrë Dhoma, shumë biznese kanë pësuar dëme dhe ndërprerje të veprimtarisë së tyre gjatë protestave, ndërsa janë ndier të pambrojtura nga institucionet përgjegjëse. Dhoma Amerikane e Tregtisë u bën thirrje Qeverisë, institucioneve përgjegjëse dhe të gjithë aktorëve të përfshirë që të bashkëpunojnë për zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës, përmes dialogut konstruktiv dhe angazhimit efektiv, në interes të qytetarëve dhe të së ardhmes së Shqipërisë.
Burimi: Top Channel




Leave a Reply