Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për akte dhune gjatë protestave, pavarësisht përpjekjeve të tyre për të fshehur identitetin me maska.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Hita tha se gjatë dy javëve të fundit kryeqyteti është përballur me akte të rënda dhune ndaj punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore dhe pronës publike e private, ku 201 punonjës policie kanë mbetur të lënduar. Sipas tij, nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, strukturat e hetimit kanë identifikuar 52 personat e dyshuar, materialet procedurale për të cilët i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Ai njoftoi gjithashtu vendosjen e kamerave të trupit për punonjësit e Policisë së Tiranës dhe i bëri thirrje prindërve të mos lejojnë fëmijët e mitur në situata dhune.