Kantautorja 15-vjeçare Troja Bicurri ka fituar çmimin kryesor në edicionin e katërt të Festivalit të Këngës në RTK, që sivjet rikthen pas 38 vjetësh emrin “Akordet e Kosovës”. Kënga fituese “Mali dhe Hana”, e kënduar dhe e kompozuar nga vetë ajo, thur vargje për peizazhet e natyrës, malin, hënën dhe dashurinë mes një vajze nga fshati dhe një djali nga qyteti.
Juria, e kryesuar nga Bojken Lako, e vlerësoi origjinalitetin, tekstin, interpretimin dhe aranzhimin e këngës. Fitorja ka edhe domethënie familjare: axha i babait të saj, Esat Bicurri, e kishte fituar çmimin e parë në “Akordet e Kosovës” më 1973.
Çmimin e dytë e mori Fatbardha Nikçi me “Hajde mor i bukur”, ndërsa të tretin grupi “Hawolf” me “Ti si unë”. Në këtë edicion u prezantuan gjithsej 17 këngë, nga baladat te popi, rocku dhe alternativja.
Burimi: KOHA.net



