Policia shpërndau për herë të dytë mbrëmjen e sotme protestuesit nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe, sipas Lapsi.al, nisi edhe shoqërimet e tyre — pas gati dy orësh tensionesh që pasuan hedhjen e molotovëve para Kryeministrisë.

Pas përshkallëzimit të orës 17:04, protestuesit u rigrupuan disa herë në bulevard. Policia avancoi me tre autobotë uji dhe grupe terreni, duke i shtyrë protestuesit disa metra përgjatë Urës së Lanës dhe duke zbrazur bulevardin nga fillimi i tij deri te Ministria e Mbrojtjes. Më pas efektivët dolën në terren dhe u kërkuan protestuesve që nuk po kryenin akte dhune të largoheshin, për të mos e bllokuar bulevardin.

Protestuesit u kundërpërgjigjën duke hedhur gurë, fishekzjarre dhe duke përdorur lazerë drejt autobotëve. Një pjesë e turmës u tërhoq në rrugët përreth qendrës së Tiranës, ndërsa të tjerë qëndruan në trotuaret përgjatë bulevardit.

Paralelisht me shpërndarjen, policia nisi edhe shoqërimet. Sipas Lapsi.al, disa protestues u morën nga policia dhe u futën në automjete, edhe në momente kur në zonën ku ndodheshin nuk kishte përplasje të drejtpërdrejta.

Shpërndarja e dytë vjen pas ndërhyrjes së parë me ujë me presion, që boshatisi sheshin para Kryeministrisë, dhe pas një dite të tërë tensionesh që nisën te Ministria e Arsimit, ku studentët u përplasën me mbështetësit e Partisë Demokratike dhe policia përdori gaz lotsjellës.

Deri më tani nuk ka të dhëna të konfirmuara për persona të lënduar gjatë përplasjeve të mbrëmjes.