Tensionet e protestës së sotme në Tiranë u zhvendosën pasdite nga Ministria e Arsimit te Kryeministria, ku protestuesit hodhën gurë, molotovë dhe fishekzjarre drejt forcave të policisë, ndërsa efektivët u përgjigjën me ujë me presion dhe shpërndanë turmën.
Pas përplasjeve të mesditës para Ministrisë së Arsimit, protestuesit u zhvendosën rreth orës 16:31 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u pozicionuan përpara Kryeministrisë, ku ishin vendosur forca të shumta policie. Gjatë marshimit, protestuesit u përpoqën të bllokojnë rrugën duke vendosur në mes të saj gurë dekorativë dhe duke spostuar koshat e mbeturinave.
Situata u tensionua rreth orës 17:04, kur protestuesit nisën të hedhin molotovë në drejtim të perimetrit të Kryeministrisë dhe forcave të rendit. Policia u përgjigj me autobotë me ujë me presion, duke shuar flakët e shkaktuara nga molotovët dhe duke e mbajtur turmën në distancë sigurie. Në gatishmëri u vendosën edhe dy autobotë të mëdhenj, të cilët shfaqen për herë të dytë gjatë protestave të javëve të fundit dhe kanë kapacitet më të madh uji e presion më të fortë.
Policia u bëri thirrje protestuesve të maskuar të largohen nga dhuna, duke paralajmëruar se do të përgjigjen sipas ligjit. Pas ndërhyrjes me ujë me presion, protestuesit u shpërndanë dhe sheshi përpara Kryeministrisë, deri te ura e Lanës, u boshatis.
Në tërheqje drejt Sheshit “Skënderbej”, protestuesit hodhën sërish fishekzjarre dhe shashka drejt efektivëve, të ndjekur nga autobotët e policisë, e cila ka përforcuar praninë në bulevard për të parandaluar rigrupimet e mundshme.
Protesta e sotme vjen pas një dite tensionesh te Ministria e Arsimit, ku studentët u përplasën me mbështetësit e Partisë Demokratike, ndërsa protestuesit u vunë flakën dy kazanëve dhe policia u përgjigj me gaz lotsjellës.




Leave a Reply