Momente tensioni dhe përplasje fizike janë regjistruar sot në Tiranë, kur protestuesit e Partisë Demokratike tentuan t’i bashkohen tubimit të studentëve para Ministrisë së Arsimit.
Studentët kishin krijuar një kordon për të mos lejuar bashkimin e dy tubimeve dhe mbanin banderolën “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Kur demokratët u afruan, të rinjtë u kërkuan të largoheshin me thirrjet “Largohuni!” dhe “Ik, ik, ik!”, ndërsa mes pjesëmarrësve u regjistruan konfrontime fizike. U dëgjuan edhe thirrjet “Arresto Berishën” dhe “Poshtë komunistët”. Një protestues, i cili akuzoi PD-në se po përpiqej t’ua merrte protestën — “Këta duan të rrëmbejnë protestën si në ’90. Ne jemi kundër klasës së vjetër politike, Ramës dhe Berishës” — u shty nga militantët e PD-së. Në zonë ndodhen forca të shumta policie që po monitorojnë situatën. Deri tani nuk raportohet për të lënduar.
Një incident i ngjashëm kishte ndodhur pak më parë para Kryeministrisë, ku një qytetar që brohoriti “Rama n’burg, Berisha n’burg” u godit me shpullë në kokë nga militantë të PD-së dhe u largua me dhunë nga protesta. Deputeti i PD-së Klevis Balliu e quajti qytetarin “provokator të qeverisë” dhe akuzoi policinë se e kishte sjellë në protestë.
Protesta e PD-së ishte thirrur nga Sali Berisha për orën 12:00, por nisi me gati një orë vonesë dhe u udhëhoq nga Flamur Noka dhe deputetë të tjerë — Berisha nuk ishte i pranishëm, për të tretën herë radhazi. Pas tubimit para Kryeministrisë, demokratët marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, ku studentët kishin thirrur protestën e parë kombëtare me strategjinë e re — dy tubime në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14:00 — me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.




Leave a Reply