Defektet në rrjetin e ujësjellësit në Tetovë janë bërë pothuajse të përditshme. Nga 1 deri më 27 tetor 2026 janë evidentuar 29 raste të raportuara defektesh në pjesë të ndryshme të qytetit, të shpërndara në 21 ditë të ndryshme, sipas të dhënave të grumbulluara nga njoftimet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”. Në disa rrugë problemet janë përsëritur disa herë brenda të njëjtit muaj.
Rruga “Lubotenska” del si më problematikja, me gjashtë raste më 1, 10, 13, 14, 20 dhe 26 tetor. Pas saj vjen rruga “Borçe Koçovski”, me tri raste, ndërsa nga dy raste janë regjistruar në rrugët “Bllagoja Toska”, “Jadranska”, “Ivo Llola Ribar” dhe “Murat Baftjari”. Defekte u shënuan edhe në qendër të qytetit, përfshirë një defekt të madh më 25 tetor.
Problemi lidhet edhe me vjetërsinë e rrjetit: sipas një konfirmimi të mëparshëm të “Sharrit”, rreth 21 për qind e gypave të ujësjellësit në qytet janë me azbest, material që në shumë vende është hequr nga përdorimi. Drejtori i ndërmarrjes, Valon Zeqiri, kishte deklaruar më herët se është përgatitur një projekt për zëvendësimin e tyre, ndërsa ndërmarrja nuk iu përgjigj pyetjeve për shkaqet, përgjegjësinë dhe masat afatgjata.
Burimi: Portalb.mk



