Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në orën 10:00 në seancën e parë plenare pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit, në një klimë të tensionuar politike dhe sociale.

Seanca nisi menjëherë me tensione. Pas leximit të rendit të ditës nga kryeparlamentari Niko Peleshi, deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren. Në momentin që fjalën e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputetët e opozitës iu afruan vendit të tij, ndërsa Flamur Noka e shtyu dhe i tërhoqi mikrofonin. Kryeparlamentari Peleshi ndërpreu seancën, e cila më pas rinisi dhe, për shkak të tensioneve, kaloi menjëherë në votim.

Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit u regjistruan tensione dhe përplasje. Një grup i vogël protestuesish u përplas me forcat e policisë të vendosura në perimetrin e sigurisë, duke shtyrë gardhin metalik të vendosur nga policia pranë një qendre tregtare në afërsi të Kuvendit, ndërsa efektivët u përpoqën të pengojnë avancimin e tyre drejt godinës. Protesta para Parlamentit ishte paralajmëruar që në orën 09:00, ndërsa Policia e Shtetit kishte rrethuar me barriera metalike perimetrin e Kuvendit pak para nisjes së saj.