Stadiumi i qytetit të Tetovës, i dyti më i madh në Maqedoninë e Veriut, prej vitesh ndodhet në qendër të një përplasjeje mes Qeverisë dhe Komunës. Në vitin 2015, me vendim të Qeverisë, stadiumi iu dha Komunës së Tetovës për përdorim të përhershëm pa kompensim, ndërsa gjendja e tij, sipas dëshmive të qytetarëve, ka vazhduar të përkeqësohet, me mbeturina dhe biznese pa leje përreth. Më 18 mars 2024, Komuna e Tetovës, përmes Ndërmarrjes Publike “Transport Tetovë”, nënshkroi marrëveshje me kompaninë “E-Properties” për ndërtimin dhe rindërtimin e stadiumit të qytetit, qendrës sportive dhe fushës së futbollit. Vlera e kontratës është 11,5 milionë euro, dhe kompania fituese është në pronësi të “Ecolog International”. Në mbledhjen e 21 majit 2024, Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mendim mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së procedurave lidhur me ndërtimin e stadiumit të ri në Tetovë. Njëherësh, Qeveria udhëzoi Sekretariatin e Përgjithshëm të përgatisë informacion të plotë për gjendjen e stadiumit dhe i dërgoi Komunës së Tetovës udhëzim për ndalimin e punimeve në terren derisa të gjendet një zgjidhje ligjore. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, reagoi ndaj qëndrimit të Qeverisë.