Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë ka akuzuar autoritetet komunale se po përgatisin privatizimin e stacionit të zjarrfikësve përmes një partneriteti publiko-privat. Sipas partisë, bëhet fjalë për një nga rastet më serioze të vënies në rrezik të pronës publike në qytet. Këshilltarët e AKI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, sipas deklaratës së partisë, po përpiqen ta ndalin atë që e përshkruajnë si “vjedhjen më të madhe të pronës publike që ka parë ndonjëherë Tetova që nga rasti Monopol”. Partia pretendon se projekti parashikon dorëzimin e stacionit të zjarrfikësve sipas modelit të partneritetit publiko-privat, ndërsa vlera e tij kalon 10 milionë euro, duke përfshirë tokën publike dhe shpenzimet e mbuluara nga buxheti komunal. Sipas AKI-së, përmes transferimit të tokës publike dhe plaçkitjes së buxhetit komunal do të përvetësohen mbi 10 milionë euro, të maskuara si partneritet publiko-privat. Partia akuzon drejtuesit e Komunës së Tetovës se po e trajtojnë pronën publike si pronë private, duke theksuar se toka komunale u përket qytetarëve dhe brezave të ardhshëm. AKI u ka bërë thirrje qytetarëve ta mbështesin përpjekjen për ruajtjen e pronës publike, me thirrjen: “Ndaleni vjedhjen e pronës publike”.