Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) shpalli njëzëri bojkotin e mësimit në të gjitha universitetet publike, duke nisur të mërkurën, 21 tetor, e deri në njoftim të dytë, në mbështetje të studentëve në ditën e tetë të protestave.
Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së Sindikatës, zhvilluar këtë të martë në sheshin ku po protestojnë studentët dhe nxënësit. Sindikalistët kërkojnë ndalimin e dhunës ndaj protestuesve, hetim të pavarur për ngjarjet që prej 13 tetorit dhe plotësimin e kërkesave të studentëve.
Në njoftimin e saj, Sindikata argumenton se protestat lidhen me kërkesat për arsim cilësor, shëndetësi dinjitoze, siguri për jetën dhe pronën, si dhe llogaridhënie. “Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thuhet në deklaratë.
SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, një hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës nga 13 tetori e në vijim, si dhe vënien para përgjegjësisë të personave që, sipas saj, kanë urdhëruar ose ushtruar dhunë.
Një tjetër kërkesë lidhet me trajtimin ligjor dhe dinjitoz të studentëve të shoqëruar nga policia, si dhe plotësimin e kërkesave të studentëve dhe nxënësve. Sindikalistët u kanë bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të institucioneve publike të arsimit të lartë që të respektojnë vendimin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve dhe studentëve pjesëmarrës.
Përveç bojkotit të mësimit, sindikata ka njoftuar se pedagogët do të marrin pjesë aktivisht në protestë, duke u mbledhur çdo ditë, në orën 10:00, para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës.
“Bojkoti nuk është braktisje e auditorit. Është mënyra jonë për të treguar se auditori, pa të drejta dhe pa dinjitet, humbet kuptimin e vet”, thekson sindikata, duke shtuar se pedagogët do të rikthehen në auditorë kur studentët të marrin përgjigjen që meritojnë.
Burimi: Report TV




Leave a Reply