Skopje Jazz Festival rikthehet këtë tetor me edicionin e vitit 2026, që do të mbahet nga 15 deri më 18 tetor në Operën dhe Baletin Kombëtar në Shkup, duke sjellë në skenë emra të njohur të xhazit botëror.

Nata e parë, më 15 tetor, sjell Zlatko Kaučič Kombo BC nga Sllovenia dhe Leonhard Skorupa New Quispel Octet, një formacion ndërkombëtar me muzikantë nga Austria, Gjermania, SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut. Në skenën e vogël, në orën 24:00, performojnë Pasquale Mirra dhe Hamid Drake nga Italia dhe SHBA-ja.

Më 16 tetor, programi Punkt International sjell dyshen norvegjeze Eivind Aarset dhe Jan Bang, si dhe Skúli Sverrisson me Ólöf Arnalds nga Islanda. Nata e 17 tetorit i takon Andrea Mirčeska Quintet nga Maqedonia e Veriut, pianistt jugafrikan Nduduzo Makhathini, si dhe dyshes Alexander Hawkins dhe Sofia Jernberg nga Britania e Madhe dhe Suedia.

Festivali mbyllet më 18 tetor me São Paulo Underground nga SHBA-ja dhe Brazili, si dhe me Vincent Peirani Quintet nga Franca.

Në kuadër të programit shtesë, më 13 tetor në MKC Kino Frosina shfaqet dokumentari ‘Ron Carter: Finding the Right Notes’, kushtuar legjendës amerikane të kontrabasit.

Skopje Jazz Festival prej vitesh konsiderohet një nga ngjarjet më prestigjioze kulturore të rajonit, duke e vendosur Shkupin në hartën evropiane të xhazit bashkëkohor.

Burimi: MKTickets