Pasi studentët dhe pedagogët refuzuan ftesën e tij për dialog ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish karrige para Kryeministrisë, në ditën e nëntë të protestave antiqeveritare.

Kreu i qeverisë deklaroi se një ditë më parë dialogu mori përgjigjen e dhunës, kur studentët dhe pedagogët përmbysën karriget e vendosura prej tij për dialog. Rama theksoi se dora e tij është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe, ndërsa paralajmëroi se çdo dhunues do të marrë përgjigje ligjore dhe financiare.

“Ka një mijë e një pakënaqësi, halle e probleme, mund të ketë dhe një mijë e një arsye, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. E drejta e protestës është e pamohueshme, por dhuna është e pajustifikueshme. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri”, tha ai.

Kryeministri shtoi se kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë: “Çdo dhunues do të marrë përgjigje, përgjigja nuk do të vonojë, do të jetë ligjore, financiare. Shqipëria është e të gjithëve.”

Burimi: Report TV/Report.al