Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë, thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e çelur në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry të Francës, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 3 janar 2027, pas suksesit që ka pasur me vizitorët.

Rreth 50 ikona të rralla, të përzgjedhura nga koleksioni i muzeut korçar dhe që rrallë janë ekspozuar në Francë, u prezantojnë francezëve shtatë shekuj të trashëgimisë së artit fetar shqiptar. Mes autorëve të pranishëm janë Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, Kostandin dhe Athanas Zografi si dhe Vangjel Zengo.

Krahas ekspozitës, publiku francez mund të marrë pjesë edhe në koncerte, vizita me komente shpjeguese dhe një tryezë të rrumbullakët kushtuar asaj. Sipas muzeut, veprat dëshmojnë për një trashëgimi të çmuar kulturore, e cila pjesërisht u shpëtua nga shkatërrimi gjatë periudhës komuniste.

Burimi: Gazeta Sot