Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) ka publikuar të dhënat për muajin tetor, sipas të cilave shporta minimale sindikale ka arritur në 70.358 denarë – 926 denarë më shtrenjtë se në shtator. Sipas sindikatës, pjesën më të madhe të shpenzimeve të një familjeje katër anëtarëshe e zënë ushqimi dhe pijet, me 26.170 denarë, ose 37 për qind të totalit. Alarmi i LSM-së është se vetëm për ushqim e pije nevojiten 124 denarë më shumë se paga minimale aktuale prej 26.046 denarësh, pra një pagë minimale nuk mjafton as për të blerë ushqimet e nevojshme mujore. Krahasuar me janarin e këtij viti, kur shporta ishte 66.413 denarë, rritja deri në tetor arrin në 3.945 denarë.

Burimi: Portalb.mk