Shoqata e Policëve të Liruar (SHPPL-2013) ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në vend, duke shprehur shqetësimin për përdorimin joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit ndaj të rinjve, gjimnazistëve dhe të miturve.

Përmes një deklarate publike, Shoqata u ka bërë thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe efektivëve të respektojnë ligjin, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të garantojnë të drejtat e qytetarëve gjatë tubimeve.

Reagimi vjen në prag të protestës kombëtare të paralajmëruar për të shtunën, më 24 tetor, ku Shoqata u bën thirrje anëtarëve të saj dhe qytetarëve të bashkohen në mbështetje të studentëve dhe të rinjve.

"Asnjë urdhër, presion apo interes politik nuk mund të qëndrojë mbi ligjin! Çdo veprim jashtë kornizës ligjore cenon të drejtat e qytetarëve dhe dëmton besimin e publikut te Policia e Shtetit", thuhet në deklaratë.

Shoqata i është drejtuar veçanërisht Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke i kujtuar përgjegjësinë për të garantuar zhvillimin paqësor të protestës së së shtunës.

Në deklaratë nënvizohet se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, ndërsa Policia ka detyrimin të mbrojë këtë të drejtë dhe jo ta pengojë në mënyrë të kundërligjshme.

Një mesazh i drejtpërdrejtë u është përcjellë edhe punonjësve të Policisë: "Mos harroni se uniforma që mbani përfaqëson ligjin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Autoriteti juaj nuk qëndron te forca që përdorni, por te profesionalizmi, vetëkontrolli dhe respektimi i ligjit".

Në përfundim, SHPPL-2013 u bën thirrje anëtarëve të saj dhe qytetarëve të marrin pjesë në mënyrë paqësore në protestën e 24 tetorit, në mbështetje të studentëve dhe rinisë: "POLICIA NË SHËRBIM TË QYTETARIT, JO MBI QYTETARIN!"

Burimi: Report TV, 22.10.2026.

Burimi: Report TV