Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sonte një takim me drejtuesit e degëve të PD-së në Tiranë, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe protestat e ditës së tetë, duke u bërë thirrje demokratëve për mobilizim maksimal dhe pjesëmarrje sa më të gjerë në protestat kundër qeverisë.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për dhunë dhe keqqeverisje, duke deklaruar se strukturat e partisë do të angazhohen në terren: “Do të krijohen grupe pune nga çdo lagje, do të bëjmë gjithçka për mobilizim maksimal të të rinjve, të prindërve, në mbështetje të gjimnazistëve dhe qytetarëve në protestë.”
“Rruga e vetme për të përcjellë sa më shpejt këtë mostër nga Kryeministria… Jemi në protestë, asgjë në botë nuk na ndan nga protesta”, tha Berisha, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet ta dëmtojë protestën paqësore përmes grupeve të maskuara që provokojnë dhunë.
Sipas tij, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës iu përgjigjën dhunës me revoltë: “Ia hoqën mënjanë mantelin e konformizmit. Sot pedagogët e UT-së dëshmuan veten intelektualë të vërtetë… Kjo ishte një nga ditët më të rëndësishme.”
Berisha e cilësoi protestën “kryekëput të diktuar nga plaçkitja e buxhetit”, duke përsëritur thirrjen e tij të mbrëmjes për protestën e së mërkurës: qytetarët t’u bashkohen të rinjve përpara Universitetit.
Burimi: Top Channel




Leave a Reply