Tirana ka pritur për herë të parë “Rave Run”, një event që bashkon vrapimin, muzikën dhe atmosferën e festës në një përvojë të vetme. Aktiviteti u zhvillua më 7 tetor në Bulevardin e Ri të kryeqytetit, duke mbledhur dhjetëra pjesëmarrës të apasionuar pas sportit dhe muzikës.

Eventi u organizua nga Tirana Running Club, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Tirana Marathon dhe Red Bull Albania, duke kombinuar një vrapim në mbrëmje me pije dhe muzikë, në një atmosferë sociale dhe energjike.

Regjistrimi për pjesëmarrësit ishte falas, me detyrimin e vetëm të regjistrimit paraprak përmes platformës zyrtare të organizatorëve, çka e bëri eventin të aksesueshëm për të gjithë qytetarët.

“Rave Run” solli një mënyrë ndryshe për të përjetuar Tiranën përmes sportit, muzikës dhe komunitetit në një event të vetëm në mbrëmje, duke e shndërruar Bulevardin e Ri në një pistë feste nën ritmet e muzikës.

Koncepti, i njohur tashmë në shumë qytete evropiane, synon t’i afrohet edhe atyre që nuk janë vrapues profesionistë, duke e kthyer aktivitetin fizik në një përvojë argëtuese dhe kolektive, larg garave tradicionale me kronometër.

Suksesi i edicionit të parë lë të kuptohet se “Rave Run” mund të kthehet në një ngjarje të rregullt të kalendarit sportiv dhe social të Tiranës, duke i dhënë kryeqytetit një tjetër mundësi për të promovuar jetesën aktive dhe komunitetin.

Burimi: lovealbania.al