Plani ambicioz i Qeverisë për investime publike prej mbi 744 milionë eurosh nuk i mbijetoi këtij viti ekonomik, sipas analizës së Portalb.mk mbi rebalancin e dytë të Buxhetit. Shpenzimet kapitale, motori i rritjes ekonomike, shkurtohen me 12,5% — rreth 94 milionë euro — duke zbritur planin në pak më shumë se 651 milionë euro.
Shkurtimi shpjegohet në dokumentin buxhetor me shtyrjen e dinamikës së realizimit të projekteve të caktuara kapitale, kryesisht të financuara nga të ardhurat vetanake, përfshirë donacionet dhe kreditë. Shkurtime pothuajse në çdo zë: “objektet e tjera ndërtimore” nga 218,5 në 146 milionë euro, “punimet ndërtimore” nga 16,68 në 10,86 milionë, pajisjet e makineritë nga rreth 199 në 187,25 milionë, dotacionet kapitale për komunat nga mbi 76 në rreth 73 milionë euro. Rritja e vetme: subvencionet kapitale për ndërmarrjet e OJQ-të (+3,8 milionë euro).
Qeveria thotë megjithatë se rritja edhe në gjysmën e dytë do të mbështetet te infrastruktura: deri më 31 gusht për Korridorin 8 dhe 10D u ndanë 6,3 miliardë denarë (rreth 103 milionë euro), ndërsa realizimi i shpenzimeve kapitale deri në mes të tetorit arrin rreth 55% të planit vjetor.
Burimi: Portalb.mk




Leave a Reply