Protestat e dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin prej një jave kanë ndikuar rëndë edhe në jetën kulturore dhe sportive, me anulime e shtyrje shfaqjesh, koncertesh dhe garash sportive.

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit njoftoi se shfaqjet e planifikuara gjatë kësaj jave do të shtyhen për një moment të dytë, ndonëse fundjavën e kaluar u ngjit në skenë “Kryengritje” (“Soulèvement”) e Angelin Preljocajt, me numër të vogël spektatorësh, në kuadër të “International Dance Festival of Tirana”.

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental u anulua shfaqja “1984” e G. Orwell, ndërsa Teatri Kombëtar njoftoi se të mërkurën pritet “Diaspora” e Fabio Pisanos me regji të Caterina Filograno, në bashkëpunim me teatrin e Barit.

Në teatrin “Metropol”, shfaqja “Sikur të isha djalë”, e planifikuar për 15 dhe 16 tetor, u shty për shkak të situatës, ndërsa në Teatrin e Kukullave nuk pati shfaqje fundjavën që kaloi, pasi godina u dëmtua gjatë protestave; biletat e blera për “Aventurat e Winnie Pooh” mbeten të vlefshme.

E prekur është edhe sporti: edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës, i planifikuar për 24–25 tetor, u shty për 14–15 nëntor, ndërsa ndeshja historike e Egnatias në Conference League kundër Midtjyland, më 15 tetor, u zhvendos nga stadiumi “Air Albania” në “Elbasan Arena”.

Burimi: shqiptarja.com