Presidenti i vendit Bajram Begaj ka pritur sot në takim ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë, në një kohë kur protestat e studentëve në Tiranë kanë hyrë në ditën e tetë.

Sipas Top News, pjesë e takimit me Begajn janë ambasadori i SHBA-së, Eric Wendt, ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, dhe ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner. Në takim janë edhe dy ish-presidentët e Republikës, Rexhep Meidani dhe Bamir Topi.

Sipas burimeve, takimi është zhvilluar pasditen e sotme në Pallatin e Brigadave, me në qendër të diskutimeve zhvillimet e fundit në kryeqytet, përshkallëzimin e protestave dhe nevojën për stabilizimin e situatës. Diplomatët e huaj kanë paraqitur qëndrimet e tyre te kreu i shtetit, ndërsa një prej shqetësimeve kryesore mësohet të ketë qenë gjetja e një zgjidhjeje politike për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të rikthyer normalitetin.

Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi diskutimet konkrete, qëndrimet e ambasadorëve apo hapat që mund të ndërmerren për zgjidhjen e situatës.

Burimi: Top Channel