Gazetari i A2 CNN, Armand Brajmi, është qëlluar me plumb gome në shpatull teksa po raportonte nga protesta në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në mbrëmjen e ditës së shtatë të protestave.

Brajmi është shprehur se, fatmirësisht, plumbi e preku në mënyrë tangenciale dhe se aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Incidenti vjen në një mbrëmje ku gazetarët janë gjendur sërish në vijën e zjarrit: më herët gjatë ditës u raportua edhe për plagosjen e një gazetari grek në Rrugën e Durrësit, ndërsa në ditët e mëparshme Ministria e Shëndetësisë ka numëruar gazetarë mes të lënduarve nga përplasjet.

Pikërisht sonte, Ambasada e Zvicrës në Tiranë u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë dhe mbrojnë lirinë e medias për të raportuar mbi zhvillimet, si dhe t’u kërkojë forcave të sigurisë të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Burimi: report.al