Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit 2026 për Maqedoninë e Veriut: vendi nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili vazhdon të jetë i përhapur dhe përbën shqetësim serioz — ndërsa ndryshimet kushtetuese, kusht për vazhdimin e negociatave, nuk kanë lëvizur aspak.
Sipas raportit, ndryshimet në Kodin Penal të janarit 2026 nuk i kanë eliminuar pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen — duke ushqyer perceptimin e pandëshkueshmërisë. Asnjë përparim nuk është shënuar as në adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias për zgjedhjet.
Kritika të ashpra shënohen edhe për gjyqësorin: ndërhyrje politike, buxhet prej vetëm 0.29% të PBB-së (ndaj 0.8% që kërkon ligji), 221 gjyqtarë dhe 67 prokurorë mungesë, dhe anulimi i pranimit të 130 kandidatëve në Akademinë e Gjyqtarëve e Prokurorëve — vendi nuk do të ketë kuadro të reja deri në vitin 2028. Liria e shprehjes po ashtu merr notë zero: paditë për shpifje ndaj gazetarëve kërceuan në 40 gjatë 2025-s, nga 15 një vit më parë.
Si pasojë, Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në grupin e vendeve që do të marrin udhërrëfyes për anëtarësim (Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia, Ukraina). KE-ja thekson megjithatë harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, dhe kërkon miratimin e ndryshimeve kushtetuese sipas konkluzioneve të Këshillit të 18 korrikut 2022.




Leave a Reply