Një detaj i pazakontë ka dalë në dritë nga rasti i dhunës së dyshuar policore ndaj dy të rinjve në Shkup: patrulla që mori pjesë në ndërhyrjen e 7 tetorit, jozyrtarisht njihej me emrin “Jugosllavia” – për shkak të përbërjes së saj të përzier etnike.

Bëhet fjalë për rastin që tronditi opinionin publik, ku dy të rinj të moshës 21 dhe 23 vjeç denoncuan se zyrtarë policorë përdorën forcë të tepruar fizike ndaj tyre gjatë një ndërhyrjeje në Shkup. Sipas pretendimeve të të rinjve, keqtrajtimi ka vazhduar edhe pasi ata ishin vënë nën kontroll, me duart e lidhura dhe të shtrirë në tokë. Ata pretendojnë gjithashtu se policët kanë përdorur armë zjarri, kanë qëlluar drejt automjetit të tyre dhe ua kanë dëmtuar gomat.

Rasti shkaktoi reagime të forta edhe në skenën politike. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkoi zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve policorë. Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ministri ka urdhëruar Departamentin për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale që të shqyrtojë të gjitha rrethanat që lidhen me ndërhyrjen.

Informacione shtesë, ende jozyrtare, kanë mbërritur në redaksinë e TV21 lidhur me prapavijën e këtij rasti. Sipas këtyre informacioneve, ndërhyrja policore dyshohet se lidhej me një denoncim të mëparshëm për transport të mundshëm të lëndëve narkotike nga Tetova drejt Shkupit. Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se patrulla policore që mori pjesë në ndërhyrje, jozyrtarisht njihej me emrin “Jugosllavia”, për shkak të përbërjes së saj të përzier etnike – në patrullë dyshohet se kishte zyrtarë policorë me përkatësi etnike maqedonase, shqiptare dhe boshnjake.

Për më tepër, sipas të njëjtave informacione, pritet që të sanksionohen të gjithë zyrtarët policorë që morën pjesë në ndërhyrjen e kontestuar. Hetimi vazhdon, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme priten informacione shtesë për gjendjen faktike të konstatuar dhe masat e mundshme ndaj zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.

Burimi: Press Online (via TV21)