Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se janë identifikuar edhe tre persona të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas pranimit të raporteve të reja të analizave të ADN-së. Bëhet fjalë për Adem (Fazli) Ademin, Fatmir (Bajram) Fazliun dhe Ali (Islam) Halitin, pjesëtarë të Grupit të Intelektualëve.
Mbetjet e tyre mortore u zhvarrosën në Kalludër dhe Jabukë, në kuadër të gërmimeve të korrikut dhe gushtit, ku u gjetën eshtrat e 23 personave. Sipas Kurtit, të tre ishin intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të rrëmbyer nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe të zhdukur me dhunë. Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, bashkë me institucionet përkatëse, ka informuar tashmë familjet, ndërsa Kurti theksoi se zbardhja e fatit të personave të zhdukur mbetet prioritet i Qeverisë dhe kërkoi drejtësi për krimet e luftës.
Burimi: Telegrafi



