Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi më 29 tetor studimin për rishikimin e numrit të gjyqtarëve, që propozon shtimin e 102 pozicioneve të reja, duke e çuar organikën nga 417 në 519 gjyqtarë. Studimi parashikon 84 vende të përhershme operative dhe 18 vende rezerve funksionale, si edhe një kapacitet të përkohshëm prej 9 gjyqtarësh në Gjykatën e Lartë për dosjet e mbartura.
Sfida kryesore mbetet plotësimi: aktualisht janë në detyrë vetëm 309 gjyqtarë nga 343 të emëruar, ndërsa 74 vende janë vakante për shkak të procesit të vetingut. Deri në vitin 2029 pritet të fillojnë punë vetëm 40 studentë të Shkollës së Magjistraturës, çka nuk mjafton as për vakancat aktuale, e jo më për 102 vendet e reja. Plani, i hedhur për konsultim publik, parashikon plotësim gradual deri në vitin 2030 dhe kosto mbi 1,2 miliardë lekë në vit.
Burimi: Reporter.al



