Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026” nuk do të mbahet në datat e planifikuara, 11–15 nëntor, por shtyhet për muajin dhjetor. Vendimin e njoftoi Shoqata e Botuesve Shqiptarë, pas këshillimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.
Sipas organizatorëve, situata e tensionuar në Tiranë nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të rinjve dhe fëmijëve, grupi kryesor i synuar i Panairit. Datat e sakta të dhjetorit do të njoftohen së shpejti.
Juria e këtij edicioni, e kryesuar nga Elsa Skënderi Rakipllari, ka lexuar dhe vlerësuar prej tre muajsh mbi 60 tituj në garë për çmime. Panairi i Librit në Tiranë është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend; edicioni i 28-të u mbajt më 12–16 nëntor në Pallatin e Kongreseve, me moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”.
Burimi: Sot.com.al



