Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Europën Juglindore, Claude Haagen nga Luksemburgu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke bërë thirrje për përgjegjshmëri nga të gjitha palët.
Në deklaratën e tij, Haagen nënvizon se e drejta për tubime paqësore dhe liria e qytetarëve për të shprehur qëndrimet e tyre janë shtylla themelore të një shoqërie demokratike. Në të njëjtën kohë, ai thekson se mbrojtja e jetës njerëzore dhe e pronës publike e private është përgjegjësi thelbësore e autoriteteve ligjzbatuese.
"Dhuna nuk mund të zëvendësojë dialogun dhe nuk ka vend në një shoqëri demokratike", thekson përfaqësuesi i OSBE-së. Sipas tij, çdo akt dhune i kryer nga individë pjesëmarrës në protesta, si edhe çdo përdorim i tepruar i forcës nga autoritetet e rendit, duhet të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Një tjetër çështje e vënë në fokus është siguria e gazetarëve gjatë raportimit nga protestat. Haagen kërkon që gazetarët të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të sigurt, pa u përballur me intimidim, ngacmime apo pengesa të pajustifikuara, duke e quajtur median e lirë thelbësore për transparencën dhe llogaridhënien, veçanërisht gjatë periudhave të tensioneve politike.
Në përfundim të deklaratës, Haagen i drejtohet qeverisë, opozitës, organizatave të shoqërisë civile, studentëve dhe qytetarëve, duke i ftuar të angazhohen në një dialog konstruktiv për gjetjen e zgjidhjeve në interes të të gjithë shqiptarëve. Ai thekson se sundimi i ligjit, respektimi i lirive themelore dhe dialogu duhet të mbizotërojnë mbi përplasjet.
Burimi: Top Channel (top-channel.tv




Leave a Reply