Nga sot, më 28 tetor, qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të mund t’i kenë letërnjoftimin dhe patentë-shoferin edhe në telefonin e tyre celular, përmes aplikacionit falas dhe vullnetar “m-Shërbime”.
Për të përfituar nga shërbimi i ri, qytetarët duhet të hapin një profil në portalin e shërbimeve kombëtare dhe të shkarkojnë aplikacionin. Dokumentet fizike do të vazhdojnë të mbeten të vlefshme, ndërsa versioni digjital do të funksionojë paralelisht me to.
Sipas zëdhënëses së Qeverisë, Venera Azizi, digjitalizimi është një hap i rëndësishëm evropian që u kursen qytetarëve kohë, duke shmangur radhët e gjata nëpër sportele. Ajo bëri të ditur se edhe certifikatat e lindjes, të martesës dhe certifikata të tjera do të mund të merren drejtpërdrejt përmes e-mailit dhe do të jenë të vlefshme.
Me nisjen e shërbimit, autoritetet synojnë që dokumentet kryesore t’i kenë qytetarët gjithmonë me vete, vetëm përmes telefonit të tyre inteligjent.
Burimi: Zhurnal.mk



