Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka suspenduar gjashtë policë pas dyshimeve për përdorim të tepruar të forcës ndaj dy të rinjve gjatë një intervenimi policor.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale duke nxitur debat për sjelljen e forcave të rendit.

Nga MPB-ja njoftojnë se ndaj policëve të suspenduar ka nisur procedurë disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Prokuroria kompetente për të përcaktuar nëse ka elemente të veprës penale.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kanë përshëndetur vendimin e shpejtë të ministrisë, duke kërkuar që hetimi të jetë transparent dhe i paanshëm deri në fund.

Burimi: pressonline.al