Mbrëmja e ditës së 8-të të protestave është përshkallëzuar sërish para Kryeministrisë në Tiranë. Protestuesit janë përplasur dhe shtyrë me efektivët e policisë, të cilët kanë përdorur spraj me piper dhe gaz lotsjellës për t’i larguar nga zona dhe për të shpërndarë turmën.
Një grupim vajzash qëndroi pranë efektivëve dhe nuk u larguan, duke u përplasur fizikisht me efektivët e njësisë “Shqiponja”. Ndërkohë nga turma dëgjoheshin thirrjet “mos i qëllo vajzat”. Në terren kanë nisur edhe shoqërimet e protestuesve nga ana e policisë, teksa situata vijon të jetë e tensionuar.
Ndërkohë, tensione të reja janë regjistruar edhe pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku protestuesit kanë hedhur molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të policisë. Përballja mes protestuesve dhe efektivëve të rendit vijon në zonën pranë katedrales.
Gjatë ndërhyrjes së policisë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, një person ka mbetur pa ndjenja në “Sheshin Skënderbej”. Sipas pamjeve, një burrë është parë i shtrirë në tokë, ndërsa qytetarët rreth tij janë mbledhur për t’i dhënë ndihmën e parë. Raportojnë Top Channel dhe report.al.




Leave a Reply