Zëvendësministrja e Brendshme, Silva Caka, ka folur nga Korça për reagimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të fundit në Tiranë, si dhe për qëndrimin e kryeministrit ndaj personave të përfshirë në to. E pranishme në një takim për antitrafikimin e fëmijëve, Caka u ndal te pjesëmarrja e të miturve në protesta dhe ndikimi që mund të kenë tek ata personat me precedentë penalë.

“Kam merakun se do të duhet që këtyre të rinjve dhe këtyre të miturve t’u bëjmë me dije se këta njerëz nuk janë aty për të protestuar, janë aty duke pasur një precedent penal i cili mund të jetë i një, le të themi, dimensioni të ndryshëm dhe që sigurisht mund të shërbejë si një shembull i keq edhe për të rinjtë apo për të miturit”, deklaroi Caka.

E pyetur sërish nëse ishte etik publikimi i të dhënave të protestuesve, zëvendësministrja këmbënguli te nevoja për të informuar të miturit për personat që, sipas saj, mund t’i përfshijnë në veprime të dhunshme: “Nuk është çështja etike apo jo. Është shumë e rëndësishme që këta të rinj të njihen me individë të cilët nuk janë aty për t’i ndihmuar që të çojnë mesazhet e tyre përpara, por janë aty për t’i mësuar edhe ata se si duhet të sillen në një protestë të dhunshme”.

Caka dha gjithashtu shifra për efektivët ndaj të cilëve kanë nisur hetimet pas protestave: 7 policë të pezulluar nga Policia e Shtetit dhe të referuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, 4 të tjerë të hetuar me nismën e vetë AMP-së, si dhe 55 ankesa nga qytetarë për tejkalim detyre.

“Për mua si qytetare e këtij vendi, si nënë e dy djemve mbi të gjitha, si një njeri që ka protestuar për shumë vite me radhë, është shumë e rëndësishme që policia të vetëkorrigjohet dhe ne si qytetarë të mos e cënojmë as policinë në kryerjen e detyrës së tyre”, përfundoi Caka.