Në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan është propozuar një projektligj që i kërkon Pentagonit një raport të hollësishëm mbi bashkëpunimin ushtarak, të sigurisë dhe të inteligjencës të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Rusinë e Kinën, shkruan Telegrafi duke iu referuar The GeoPost.

Nisma, “Akti i Bashkëpunimit për Sigurinë në Ballkan”, e prezantuar nga kongresmenët Ritchie Torres dhe Joe Wilson (HR 10748), përfshin tetë vende: Serbinë, Bosnjën e Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë.

Sipas propozimit, Sekretari amerikan i Mbrojtjes do t’i dorëzonte Kongresit brenda 180 ditëve një listë të armëve e teknologjisë ruse e kineze me vlerë mbi një milion dollarë të blera apo pranuara nga vendet e rajonit që nga 2012, si dhe të dhëna për stërvitje, marrëveshje e bashkëpunim në inteligjencë. Vëmendje e veçantë i kushtohet Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish e lidhjeve të mundshme të saj me shërbimet ruse të inteligjencës — institucion që prej vitesh ngre pikëpyetje në Perëndim.

Projektligji është ende në fazën e propozimit dhe nuk është miratuar: Pentagoni nuk ka marrë ende asnjë urdhër.

Burimi: Telegrafi.com