Jozyrtarisht raportohet se është arrestuar një person i dyshuar për dy vrasjet në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Lajmi, i publikuar nga 4NEWS dhe i përcjellë nga disa media, thotë se i dyshuari është ndaluar dhe ndodhet në stacionin policor të Karposhit.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për arrestimin, dhe nuk ka të dhëna për rrethanat në të cilat personi është ndaluar, as për bazat e dyshimit. Policia pritet të sqarojë gjatë ditës se çfarë lidhjeje ka i arrestuari me dy rastet.
Bëhet fjalë për dy vdekjet me shenja dhune në Gjorçe Petrov brenda pesë ditësh: sot, më 27 tetor, rreth orës 09:18, vajza gjeti të vdekur nënën e saj 76-vjeçare, O.A., në shtëpinë në rrugën “Gjurgjin Kokale”, ndërsa më 22 tetor u gjet i vdekur në shtëpinë e tij 62-vjeçari S.J. Në të dy rastet trupat u dërguan për obduksion me urdhër të prokurorit publik.
Prokuroria Publike deri tani nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë lidhje mes dy rasteve, duke theksuar se fillimisht duhet të zbulohet autori, që të hetohet nëse ekziston lidhje mes tyre.




Leave a Reply