Një grua 76-vjeçare është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, me shenja të dukshme dhune në trup.
Rasti është raportuar të martën, më 27 tetor, në orën 09:18, në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Shkup, nga vajza e viktimës, e cila e ka gjetur nënën e saj, O.A., pa shenja jete në shtëpinë familjare, në rrugën “Gjurgjin Kokale”.
Ekipi i Ndihmës së Shpejtë ka dalë në vendngjarje dhe ka konstatuar vdekjen, ndërsa në trup janë vërejtur shenja të dukshme dhune. Për rastin është njoftuar prokurori publik, me udhëzimin e të cilit trupi është dërguar për obduksion, për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Policia po ndërmerr masa për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për vrasje, edhe pse disa media shkruajnë tashmë se bëhet fjalë për vrasje, duke iu referuar burimeve të tyre.
Ky është rasti i dytë për vetëm pesë ditë në të njëjtën komunë, ku një person gjendet i vdekur në shtëpi me shenja dhune: më 22 tetor, në Gjorçe Petrov, u gjet i vdekur 62-vjeçari S.J., po ashtu me shenja dhune, dhe trupi i tij u dërgua për obduksion. Prokuroria ka thënë se për një lidhje të mundshme mes dy rasteve duhet pritur fillimisht zbardhja e secilit rast.




Leave a Reply