Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur më shumë se dyfishi gjatë gjashtë viteve të fundit, duke arritur në rreth 29 mijë lekë (315 euro) në muaj për një person në vitin 2025, sipas të dhënave të fundit të INSTAT-it që raporton Revista Monitor. Pragu, i llogaritur në 349,565 lekë në vit, është rritur me 104.7% krahasuar me 14,232 lekë në muaj që ishte në vitin 2019, me përshpejtim sidomos pas vitit 2022. E dhëna më shqetësuese është hendeku mes këtij pragu dhe të ardhurave të kategorive më vulnerabël: pensioni mesatar i pleqërisë në qytet ishte rreth 20,100 lekë në muaj (afër 9 mijë lekë poshtë kufirit), ndërsa në fshat rreth 12,300 lekë. Edhe më e vështirë është situata për familjet me ndihmë ekonomike, ku pagesa mesatare mujore ishte vetëm 7,253 lekë — shumë poshtë pragut statistikor. Sipas metodologjisë së INSTAT, kufiri përcaktohet si 60% e medianës së të ardhurave të disponueshme dhe në 2025 shkalla e rrezikut për të qenë i varfër mbeti pothuajse e pandryshuar, në 19%, nga 19.2% një vit më parë. Kjo do të thotë se pavarësisht rritjes nominale të të ardhurave, pensionet dhe pagesat sociale mbeten larg nivelit që statistikisht kalon kufirin e varfërisë.
Burimi: Revista Monitor




Leave a Reply