Tetë persona janë paraqitur në spitalet universitare në Tiranë për trajtim mjekësor pas lëndimeve të pësuara gjatë protestës së sotme, në ditën e 12-të të protestës studentore. Sipas informacionit paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur gjashtë persona: një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Të gjithë kanë lënë spitalin pas marrjes së trajtimit mjekësor. Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) janë paraqitur për trajtim një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias.
Përplasjet janë ashpërsuar gjatë pasdites, kur protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të Policisë. Si pasojë, efektivë policie kanë marrë flakë, ndërsa kolegët kanë rendur t’ua shuajnë flakët. Gjatë hedhjes së molotovëve, edhe një të riu i është djegur xhaketa, por ai ka arritur t’i shuajë flakët vetë. Incidenti është regjistruar në një moment kur protesta vijonte mes tensioneve dhe përplasjeve, me hedhje të lëndëve piroteknike dhe përdorim të gazit lotsjellës.
Një pedagoge universitare pretendon se është goditur me plumb gome nga policia gjatë protestës së sotme, teksa po ndihmonte dy të moshuar që të pastronin sytë me ujë fiziologjik pas ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Sipas dëshmisë së saj, goditja ndodhi në një lulishte, larg zonës ku po zhvilloheshin përplasjet mes protestuesve dhe policisë. “Duke ndihmuar njerëzit, ja dhe plumbi i gomës. Në lulishte duke ndihmuar dy të moshuar. Unë kam dalë për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë për mua. Jam profesoreshë në universitet prej 25 vitesh. Vetëm për të ndihmuar njerëzit kam dalë, për asgjë tjetër”, u shpreh pedagogia.
Pamje të rënda vijnë edhe nga një tjetër moment i protestës: një vajzë është shtrirë në tokë në mes të rrugës, pasi duket se nuk është ndjerë mirë ose është rrëzuar teksa ka tentuar të largohet. Edhe pse vajza ka nevojë për ndihmë, policia ka vazhduar të hedhë gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të saj dhe të personave që po përpiqeshin t’i jepnin ndihmë. Vajza kërkoi ndihmë më të specializuar me anë të duarve.
Ndërkohë, efektivët e Policisë kanë nisur shoqërimin e disa personave gjatë protestës që po zhvillohet para Kryeministrisë, ku më herët u regjistruan tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Pamjet tregojnë disa efektivë që shoqërojnë një person në hyrje të Kryesisë së Kuvendit.
Burimi: Top Channel / Report TV




Leave a Reply