Studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan sot në Gjykatën Kushtetuese tre ankime kundër akteve të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026, të cilat, sipas tyre, cenojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

Ankimet u nënshkruan së bashku me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania. Depozitimi u bë sot, më 5 nëntor, në orën 14:00.

Në qendër të kundërshtimeve është Akti Normativ nr. 5/2026, i cili, sipas ankuesve, i jep policisë të drejtën të ndalojë ose kufizojë protestat pranë institucioneve, përfshirë edhe ato të arsimit të lartë, të largojë qytetarët nga “zonat e mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë të reja — sa dhjetë paga minimale në Shqipëri.

Akti i dytë që kundërshtohet është Akti Normativ nr. 6/2026, i cili, sipas grupimeve, i bën organizatorët përgjegjës solidarisht për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të tetorit, si dhe parashikon gjoba për veprime të kryera përpara hyrjes së këtyre sanksioneve në fuqi.

Në fokus të kundërshtimeve është edhe VKM-ja nr. 815/2026, e cila, sipas ankuesve, parashikon krijimin e një regjistri policor në prokurori për personat që kanë marrë pjesë në tubime — mbi bazën e të cilit një personi mund t’i refuzohet dalja jashtë vendit pa vendim gjykate, të njoftohet shteti ku udhëton, si dhe të njoftohen për të edhe hotelet.

“Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat”, thuhet në deklaratën e studentëve dhe organizatave. Ata kërkojnë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi dhe, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat është kërkuar pezullim.