Protesta e studentëve dhe qytetarëve është zhvendosur mbrëmjen e sotme përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pasi dy aktivistët Edison Lika dhe Dritan Goxhaj u morën me forcë nga efektivët gjatë tubimit përpara Kryeministrisë.

Protestuesit kërkojnë lirimin e menjëhershëm të dy aktivistëve, me thirrjet “Lironi qytetarët, arrestoni Ramën” dhe “Polici e krimit”. Një prej organizatorëve, Arben Kola, kërkoi sqarime nga drejtuesit e policisë, duke pretenduar se shoqërimi u bë pa të drejtë dhe se gjobat e vendosura janë “qesharake” — sipas tij, njoftimi për tubimin ekziston që më 31 maj.

Kujtojmë se Lika dhe Goxhaj u shoqëruan pasi refuzuan të merrnin fletët e gjobave të vendosura në bazë të Aktit Normativ të qeverisë, ndërkohë që protestuesit kundërshtojnë versionin e autoriteteve duke pretenduar se tubimi ishte i ligjshëm.

Reagoi edhe kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili tha se vendosja e gjobave po bëhet në kundërshtim me ligjin dhe i bëri thirrje ndërkombëtarëve të reagojnë: “E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e drejtë themelore”. Ende nuk ka reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për përplasjet, shoqërimet dhe përdorimin e sprajit me piper.