Mbi 20 për qind e arrestimeve të protestuesve gjatë javëve të fundit janë vlerësuar të paligjshme nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës, duke nxjerrë në sipërfaqe praktikën represive të ndjekur nga Policia e Shtetit, në shkelje të ligjit dhe të të drejtave të njeriut — zbulon një investigim i BIRN.

Prej 13 tetorit, kur protestat antiqeveritare ndoqën një kurs përplasjesh të dhunshme, Policia e Shtetit ka arrestuar me qindra protestues të rinj, një pjesë e të cilëve edhe në moshë të mitur. Nga numri total i 319 protestuesve të arrestuar deri më 31 tetor, 291 prej tyre janë përballur me gjykatën për vlerësimin e masave të sigurisë. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 62 arrestime, ose mbi 21 për qind e totalit, janë vlerësuar të paligjshme nga Gjykata e Tiranës apo direkt nga prokurorët.

Mes të arrestuarve kanë qenë edhe 38 të mitur, nga të cilët gjykata ka vlerësuar se gjashtë janë ndaluar në mënyrë të paligjshme. Policia ka proceduar penalisht deri më 27 tetor edhe 653 protestues të tjerë, nga të cilët 179 janë të mitur. Nga personat e arrestuar, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg për vetëm 12 raste, ndërkohë që tetë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

Avokatët e protestuesve denoncojnë ndalime pa prova individuale, mungesë provash për mbajtjen 72-orëshe, kontrolle arbitrare të telefonave të të miturve dhe përdorim të pajustifikuar të forcës. Policia nuk ka pranuar zyrtarisht tejkalimin e proporcionalitetit, por më 22 tetor zv.drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës u kërkoi komisariateve të respektojnë legjislacionin penal për të miturit — një hap pas nga metodat e ndjekura deri atëherë.