Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës hyn sot në ditën e 21-të, ndërsa të rinjtë vijojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit. Me moton “Pa dorëheqje nuk ndalojmë”, studentët dhe pedagogët kanë njoftuar se do të mblidhen në orën 12:00 pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, për të vijuar revoltën e nisur prej javësh.

Pavarësisht presionit dhe përpjekjeve të qeverisë për ta shuar protestën, studentët nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre: largimi i Edi Ramës është kushti për t’i dhënë fund revoltës. Mesazhi i tyre mbetet i prerë — protesta nuk do të ndalet pa largimin e kryeministrit.

Ndërkohë, në ditën e 21-të të protestës, kryeministri Rama ka vendosur sërish tavolinën prej guri para Kryeministrisë me ftesat “Dialog” sipër saj. Ftesa e tij për dialog vazhdon të refuzohet nga studentët, pedagogët dhe qytetarët.