Banka Botërore ka rritur parashikimin për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut për vitin 2026 në 3,2 për qind, 0,3 pikë përqindjeje më shumë se projeksionet e mëparshme. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, Miteva tha se në tremujorin e dytë të këtij viti vendi shënoi rritje prej 4,3 për qind, norma më e lartë mes gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, ku mesatarja rajonale ishte 3,6 për qind.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, ndërtimtaria u rrit realisht me 21,9 për qind, industria përpunuese me 4,1 për qind dhe sektori i informacionit e komunikimit me 4,3 për qind, ndërsa konsumi final u rrit nominalisht me 7 për qind. Miteva vlerësoi se treguesit dëshmojnë aktivitet të shtuar ekonomik, por theksoi se sfidat nuk janë tejkaluar të gjitha dhe Qeveria mbetet e përkushtuar për t’i adresuar ato.
Burimi: Ora24.tv



