Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi sërish për heqjen e embargos ekonomike amerikane ndaj Kubës, me 130 vota pro dhe 17 kundër. Ky është viti i 34-t radhazi që ky organ u bën thirrje Shteteve të Bashkuara ta heqin këtë kufizim. Maqedonia e Veriut votoi edhe këtë herë kundër heqjes së embargos, duke u rreshtuar me Uashingtonin.

Nga vendet e rajonit, kundër heqjes votuan edhe Sllovenia dhe Bosnja e Hercegovina, ndërsa Shqipëria dhe Kroacia abstenuan. Serbia, përkundrazi, votoi në favor të heqjes së embargos. Kundër u shprehën edhe Hungaria, Letonia, Kolumbia dhe Republika Çeke, mes të tjerash.

Një vit më parë, rezoluta e njëjtë kishte marrë 165 vota pro, 7 kundër dhe 12 abstenime. Votimi i këtij viti pasoi një fushatë të intensifikuar diplomatike nga Uashingtoni për t’i bindur më shumë vende ta kundërshtonin dokumentin ose të abstenonin. Rezoluta nuk është ligjërisht e detyrueshme dhe nuk e detyron Uashingtonin të ndryshojë politikën e sanksioneve, por pasqyron qëndrimet ndërkombëtare ndaj embargos.

Burimi: Zhurnal.mk