Një person është arrestuar, ndërsa 17 të tjerë janë proceduar penalisht për thirrje dhe nxitje të veprimeve të kundërligjshme në rrjetet sociale, në kuadër të protestave të dy javëve të fundit në Tiranë, njofton Policia e Shtetit, transmeton Top Channel.
Veprimet hetimore janë kryer nga strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Hetimin e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, për publikime në rrjete sociale që prej 13 tetorit, me përmbajtje të dyshuar të dhunshme, kërcënuese dhe nxitëse.
Në pranga është vënë Elton Xhura, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për përhapje të informacioneve të rreme që ngjallin panik. Sipas Policisë, ai i ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook një spitali privat, duke kërcënuar me vendosjen e bombave në tri godina të ndryshme.
Mes të proceduarve është A. K., 34 vjeç, i dyshuar se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme në Instagram dhe se ka hapur një llogari në GoFundMe për mbledhje fondesh, duke pretenduar se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit atij iu gjet dhe iu sekuestrua një dokument me të cilin prezantohej si gazetar.
Një tjetër i proceduar është E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, i dyshuar se ka publikuar video ku ofronte shuma parash për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Po ashtu është proceduar G. P., 37 vjeç, i dyshuar se ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të Policisë, me komente fyese dhe kërcënuese.
Mes të proceduarve janë edhe A. G., 56 vjeç, A. A., 50 vjeç, O. M., 20 vjeç — ky i fundit i dyshuar se vendosi një banderolë me simbol nazist në fasadën e Universitetit Politeknik gjatë një proteste — si dhe 11 persona të tjerë për thirrje publike për veprime të dhunshme.
Gjithashtu, materialet për 8 llogari në rrjete sociale janë referuar në Prokurori për identifikimin e administratorëve të tyre.




Leave a Reply