Qeveria e Shqipërisë shqyrton sot projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të ketë një vlerë prej 10 miliardë eurosh. Pas shqyrtimit në qeveri, dokumenti do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit nga ministri i Financave, Petrit Mala, për të vijuar më tej me diskutimet në komisionet parlamentare.

Një element i veçantë i buxhetit të ri është përfshirja e kompensimit për bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë 15 ditëve të fundit. Mekanizmi për dëmshpërblimin pritet të përfshihet në buxhetin e vitit 2027, në kuadër të masave të propozuara nga kryeministri Edi Rama.

Pas prezantimit në Konferencën e Kryetarëve do të përcaktohet kalendari i punës së Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë shqyrtimi i detajuar i zërave buxhetorë. Partia Demokratike, ndërkohë, pritet të vijojë bojkotin e pjesshëm të punimeve parlamentare, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Burimi: Gazeta Express