Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka raportuar rritje të depozitave dhe të aktivitetit kreditues gjatë muajit shtator, krahasuar me muajin dhe vitin paraprak.

Sipas raportit, aktiviteti kreditues shënoi rritje mujore prej 1,3 për qind dhe rritje vjetore prej 14,1 për qind. Rritja është e pranishme në të dy sektorët: familjet japin kontribut më të madh në baza mujore, ndërsa në baza vjetore kontributi është më i theksuar te sektori i korporatave.

Edhe depozitat u rritën me 0,4 për qind krahasuar me muajin paraprak dhe me 9,2 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ku rritja më e madhe është te sektori i amvisërive.

Qytetarët vazhdojnë të përdorin më së shumti kredinë konsumuese dhe atë të banimit, njoftoi Banka Popullore.

Burimi: Zhurnal.mk