Pas disa paralajmërimeve të parealizuara, në terren sot më në fund janë vendosur makineritë dhe zyrat e kompanisë “Granit”, e kontraktuar për ndërtimin e segmentit të dytë të autostradës Shkup–Bllacë. Punimet konkrete ndërtimore ende nuk kanë filluar, por zëvendësdrejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Tahir Tahiri, thotë se vendosja e makinerive llogaritet si nisje e punimeve, ndërsa puna ndërtimore pritet të fillojë nesër, më 27 tetor.

Segmenti i dytë, me gjatësi 10,5 kilometra, pritet të kushtojë rreth 222 milionë euro dhe parasheh pesë tunele me dy tuba, tetë ura, 11 nënkalime dhe nëntë mure mbajtëse. Financimi përfshin një kredi prej 167,6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant prej rreth 30,8 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Burimi: Portalb